PortaliForumLatest imagesRegjistrohuidentifikimi

 

  Pagëzimi i Zotit

Shko poshtë 
AutoriMesazh
LaNiGc

LaNiGc


Numri i postimeve : 682
Pikët : 2452
Reputation : 291
Join date : 23/03/2012
Mosha : 36
Vendodhja : DIGITAL OCEAN

 Pagëzimi i Zotit Empty
MesazhTitulli: Pagëzimi i Zotit    Pagëzimi i Zotit I_icon_minitimeTue May 08, 2012 8:34 am

Pagëzimi i Zotit

Një zë nga qielli: “Ti je Biri im i dashur”

Pagëzimi i Zotit / C Festë 10 Janar 2010
Sot Pagëzimi i Zotit na fton të zbulojmë shenjtërinë e pagë-zimit tonë. Jezusi vihet në rresht me njerëzimin për të kryer një akt solidariteti me të. Ai pranon mëkatin e të gjithë botës dhe e shkatërron me vdekjen dhe ringjalljen e tij. Pagëzimi në Jordan i marrë nga Gjoni e prezanton zyrtarisht si Mesia i shumë-pritur, si i dërguari i Atit. Jezusi është Biri i dashur, sepse Ai është i zgjedhuri: në Të Ati kënaqet, jo vetëm se është i Njëlinduri, por sepse Biri i tij do të paguajë me jetën e vet mëkatet tona dhe do të na mësojë çfarë do të thotë të duash deri në dhurimin e plotë të vetvetes.
Pagëzimi i Jezusit na kujton pagëzimin tonë. Pagëzimi ynë na bën të hyjmë në vdekjen e Jezusit dhe na bën të dalim fitimtarë në ringjalljen e tij. Ati duke thirrur Jezusin “Biri im i dashur” na thotë të gjithë neve se jemi shumë të dashur nga Hyji. Hyji na do dhe na dhuron të mirën, Ai është i kënaqur për secilin prej nesh kështu siç jemi. Hyji nuk na do sepse jemi të mirë, por sepse duke na dashur na bën të mirë. Në Pagëzim kemi marrë farën e jetës së Hyjit që duhet ta bëjmë të rritet dhe të japë fryte. Para syve të njerëzve mund të jemi shumë të rëndësishëm dhe të vlerësuar, por dhurata e të qënit bij të Hyjit është pafundësisht më e madhe se çdo dhuratë tjetër.
Nëse Hyji na mbush me hirin e vet, edhe njeriu duhet të përgatisë një zemër të gatshme për të pranuar dhuratat e Zotit, duke refuzuar të keqen që e dërgon njeriun dejt vdekjes.

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 40, 1-5. 9-11

Pas pesëdhjetë vjetësh mërgimi Hyji e çon popullin e zgjedhur në tokën e tij duke kryer një çlirim të ri. Hyji ka shumë ngut për të dërguar popullin e tij drejt lirisë. Dhe shënon një rrugë të drejtë ndërmjet shkretëtirës së lulëzuar. Një profeci e tillë do të kryhet kur do të arrijë Jezu Krishti që është shfaqja e fundit e shpëtimit të Hyjit.


Lexim prej Librit të Isaisë profet

“Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Zoti juaj! Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia e tij, sepse ka marrë prej dorës së Zotit ndëshkim të dyfishtë për të gjitha mëkatet e veta.”
Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot. Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë, e rrëpirëta le të bëhet e rrafshtë: do të zbulohet hiri i Zotit, atëherë të gjithë njerëzit së bashku do të shohin se ka folur goja e Zotit!” Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin e mirë Sionit; ngrihe me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell lajmin e gëzueshëm Jerusalemit! Klith të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës:
“Ja, Hyji juaj, qe, Zoti, Hyji juaj, po vjen me fuqi, zotëron krahu i tij: ja, me të është shpagimi i tij, e para tij shpërblimi i tij! Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat, ngrykë i mbart; i këqyr me kujdes.”
Fjala e Zotit.

Psalmi 104
----------
I bekuar Zoti që dhuron jetën
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhiëri e me bukuri,
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë,
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
----------
Retë i bëre karrocë për vete,
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu,
zjarrin zharitës shërbëtorë të tu.
----------
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe:
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë,
atje zvarranikë saqë numri s'u dihet,
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
----------
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
po ua more frymën, ato ngordhin
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen dhe e rinon
fytyrën e dheut.
----------
Leximi i dytë Tit 2,11-14; 3,4-7

Shfaqja më e lartë e mirësisë dhe dashurisë së Hyjit për njerëzit është Krishti Shpëtimtar. Ai është njeriu Jezus që pranon lirisht të japë jetën për dashuri, për të na pajtuar me Atin. Kjo dashuri reagon në ne nëpërmjet Shpirtit Shenjt dhe na bën krijesa të reja të drejtuara drejt jetës së amshuar.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Titit

Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lumtur dhe ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira.
Fort të dashur, kur u dëftua mirësia e Hyjit, Shëlbuesit tonë, dhe dashuria e tij ndaj njerëzve, Ai na shëlboi, jo në saje të veprave tona që ne i bëmë në drejtësi, por në saje të mëshirës së vet: me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë, që, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të jemi, në saje të shpresës, trashëgimtarë të jetës së pasosur.
Fjala e Zotit.


† Ungjilli Lk 3, 15-16.21-22


Ungjilli tregon momentin e pagëzimit të Jezusit, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi të dhe u dëgjua zëri i Atit që e paraqet si Birin e vet të dashur. Jezusi, duke marrë pagëzimin, inaguron kohën e Ungjillit, është i njohur si “Bir”, në mënyrë që pas tij të gjithë njerëzit të mund të bëhen bij të Hyjit. Në këtë moment ndodh zbulimi i misterit të Trinisë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është shi ky Mesia, këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidhë lidhësat e sandaleve të tija. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr.” Kur u pagëzua mbarë populli, u pagëzua edhe Jezusi dhe, ndërsa po lutej, u hap qielli dhe Shpirti Shenjt zbriti mbi të në trajtë trupore porsi pëllumb, e prej qiellit ushtoi zëri: “Ti je Biri im, Djali i dishirit. Ty të përkrah plotësisht!”
Fjala e Zotit.


P R E D I K I M I

Besimtarë të dashur!
Sot festojmë festën e Pagëzimit të Jezu Krishtit. Ungjilli i sotëm na nxit të mendojmë në dy drejtime: për pagëzimin e Krishtit dhe për pagëzimin tonë.
Dikur pagëzoheshin vetëm njerëz të rritur – ata që janë të aftë të kuptojnë mirë se çka është pagëzimi. Sot pagëzohen edhe fëmijët e vegjël, edhe të rriturit. Në emër të fëmijëve prindërit dhe kumbarët e tyre garantojnë se do t’i edukojnë në fenë dhe moralin e krishterë, se përndryshe nuk do të mund të pagëzoheshin fare.
Jezusi është pagëzuar si njeri i rritur – si burrë 30 vjeçar. Ai u pagëzua për të mirën tonë, sepse vetë nuk kishte mëkat për të cilin do të kishte nevojë të pagëzohej. Ai me pagëzimin e vet e shenjtëroi ujin me të cilin ne pagëzohemi, që me anë të pagëzimit me ujë të lirohemi prej mëkateve.
Krishti aq fort deshi të jetë i ngjashëm me ne, sa që jo vetëm se u lind si fëmijë, por edhe lejoi ta pagëzojë krijesa e tij, shën Gjon Pagëzuesi. Ka pritur në rend për pagëzim sikurse pritnin mëkatarët, që t’u falen mëkatet.
Pagëzimi për ne është çllirim nga mëkati i rrjedhshën, nga ai mëkat që e kemi trashëguar prej Adamit dhe Evës. Po ashtu me pagëzim lirohemi edhe prej të gjitha mëkateve të tjera personale, që i kemi bërë para pagëzimit.
Çka është mëkati i rrjedhshëm, mëkati origjinal, ose mëkati i trashëguar? Shpeshherë ankohemi pse Adami dhe Eva kanë mëkatuar. Pse të vuajmë ne për shkak të mëkateve të tyre? E gati kurrë nuk padisim vetveten për mëkate që i bëjmë ne, dhe për shkak të cilëve vuajnë fëmijët tanë!
Shpeshherë i takojmë fëmijët të gjymtë (sakatë), të verbër, memecë, të paralizuar, të prapambetur. Edhe pse zakonisht prindi s’ka faj për ato të këqija, dikur edhe vetë prindi mund të jetë shkaktar i tyre. Prindërit që pinë duhan, alkohol, ose marrin drogë, e dëmtojnë edhe shëndetin e fëmijëve të vet. Prindërit shpeshherë janë fajtorë se fëmijët nuk e njohin fenë, moralin dhe kulturën e vet. Shpeshherë dembelia, grykësia ose mendja e madhe e prinderve është shkaku i varfërisë së fëmijëve. Ne ua lëmë në trashëgim fëmijëve tanë veset tona, mentalitetin, botëkuptimin e keq: urrejtjen, mospajtimin, hakmarrjen etj.
Të gjitha këto të këqija janë ai mëkat i rrjedhshëm, për të cilin jemi fajtorë ne, dhe të cilin gjeneratat e reja e trashëgojnë prej nesh. Dmth.: nuk janë fajtorë vetëm Adami dhe Eva, por të gjithë ne, secili njeri si mëkatar.
Ndërkaq, sikurse ekzistojnë barërat për gati të gjitha sëmundje trupore, po ashtu ekziston edhe bari, ilaçi për këtë sëmundje të shpirtit, që quhet mëkat. Për më tepër: barërat e shpirtit janë edhe më të suksesshëm se ata të trupit. Më i miri dhe më i forti ilaç i shpirtit është pagëzimi. Me pagëzim njeriu lirohet prej të gjitha mëkateve. Me pagëzim fillojmë jetën e re – bëhemi krijesa të reja, fëmijë të Zotit.
Në një varr gjendet ky bishkrim: “Vdiqa si nëntëdhjetë e tre vjeçar, e jetova vetëm tri vjet.” Vërtet, plaku ishte pagëzuar kur i kishte 90 vjet, kështu që kujtonte se me të vërtetë ka jetuar vetëm tri vjet – sepse ato vite të mëparshme nuk ishin të denjë as të përmenden. Pagëzimi është një ndërrim drejtimi shumë me rëndësi për njeriun. Është një fillim i ri. Pasi me pagëzim bëhemi fëmijë të Zotit, ai është për ne një lindje e re.
Prandaj, të dashur vëllezër e motra, gjithmonë kur të bëni kryq, le t’ju bjerë në mend pagëzimi juaj – se jeni pagëzuar në emër të një Hyji të vetëm në tri veta hyjnore: në emë të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Në çdo punë dhe në çdo situatë duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi pagëzuar, se jemi të krishterë, se me anë të pagëzimit jemi bërë fëmijë të Zotit, të ngjashëm me një të vetmin Birin e tij, Jezu Krishtin. Le t’i përngjamjë, pra, Atij edhe me jetë, sikurse me hirin e Zotit i përngjajmë me shpirt!
Amen.
®®®®

(Në vend të “Besoj” mund të recitohet premtimet e mëposhtme pagëzimore.)

Përtërirja e premtimeve të Pagëzimit:

Sipas mësimeve të fjalës së Hyjit përtërijmë besimin tonë në Atin , në Birin dhe në Shpirtin Shenjt që të bëhemi shtëpi i Hyjit dhe populli i tij i shenjtë, dhe kështu të jetojmë angazhimet e Pagëzimit tonë.

1) A besoni në Hyjin, Atin e gjithëpushtet-shëm Krijuesin e qiellit e të tokës?

P. Besoj

2) A besoni në Jezu Krishtin, Njëtëlindurin Birin e tij, Zotin tonë, që lindi prej Marisë Virgjër, vdiq dhe qe varrosur; u ngjall së vdekuri e rri në të djathtën e Atit?
P. Besoj

3) A besoni në Shpirtin Shenjt, Kishën Shenjtë katolike, shoqërinë e shenjtërve, faljen e mëkateve, ngjalljen e trupit dhe jetën e pasosur?
P. Besoj

4) Kjo është feja jonë. Kjo është feja e Kishës. Është nder për ne ta dëshmojmë, në Jezu Krishtin Zotin tonë.
P. Amen
®®®®

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër në këtë festë të pagëzimit të Zotit, jemi të ftuar të reflektojmë mbi pagëzimin tonë. Të mundohemi të kuptojmë vlerën e dhuratës që kemi marrë e të dimë t’ia përshtatim jetës. Të mbledhur së bashku në lutje të themi:
Na përforco në Shpirtin tënd, o Zot.
----------
1. Që Kisha të kryejë misionin për të drejtuar njerëzit te Krishti duke bërë që me pagëzimin të futen në familjen e Hyjit. Të lutemi
Na përforco në Shpirtin tënd, o Zot.
----------

2. Që çdo i pagëzuar të kuptojë madhështinë e dhuratës që ka marrë dhe të jetë besnik në angazhimet dhe detyrimet e tij. Të lutemi
Na përforco në Shpirtin tënd, o Zot.
----------
3. Që të krishterët të kërkojnë ndihmë për varfërinë e njerëzimit, duke luftuar kundër urisë, luftës, injorancës, padrejtësisë. Të lutemi
Na përforco në Shpirtin tënd, o Zot.
----------
4. Që prindërit të kërkojnë pagëzimin për fëmijët e tyre, gjithmonë të shtyrë nga arsye besimi. Të lutemi
Na përforco në Shpirtin tënd, o Zot.
----------
5. Që Eukaristia, të cilën sot po kremtojmë, të bëjë që të dëshirojmë me gjithë zemër bashkimin e fesë dhe të dashurisë të dëshiruar nga vetë Krishti. Të lutemi
Na përforco në Shpirtin tënd, o Zot.
----------
M. O Atë, burim jete dhe shpëtimi, dëgjoji lutjet që bijtë e tu, të rilindur nga uji dhe Shpirti, i drejtojnë mëshirës sate të pafundme. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

®®®®



Lutu me Ungjillin

O Shenjtja Trini Ati e Biri e Shpirti,
sot në ujrat e Jordanit
Jezu Krishti duke marrë pagëzimin
ka zbuluar planin tënd të dashurisë
për të shpëtuar njerëzimin.

O Hyj Atë,
Ti na pranon edhe ne
si bijtë e tu të dashur
përpara akoma se ne
t’i përgjigjemi dashurisë sate.

O Zot Jezus, vëllai ynë,
Ti në pagëzim ke bashkëndarë
ngjarjet e popullit tënd
dhe je afruar me ne
me butësi dhe përvujtëri
duke hyrë në ujin e lumit Jordan.

Shpirti Shenjt,
bëj që duke jetuar dhe dëshmuar
premtimet e Pagëzimit tonë,
të bëhemi gjithnjë e më të denjë
për të qenë bijtë e Hyjit.


Kisha Katolike - Gjakovë
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Pagëzimi i Zotit
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Gjonit
» Gjendet “pika e Zotit” në tru!
» Zbulohet “Grimca e Zotit”?
» Thellësia e njeriut në kërkim të Zotit
» CERN zbulon dhe vërteton ekzistencën e grimcës së “Zotit”

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: RELIGJIONE :: K R I S H T E R I M I-
Kërce tek: