PortaliForumLatest imagesRegjistrohuidentifikimi

 

 Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Gjonit

Shko poshtë 
AutoriMesazh
LaNiGc

LaNiGc


Numri i postimeve : 682
Pikët : 2452
Reputation : 291
Join date : 23/03/2012
Mosha : 36
Vendodhja : DIGITAL OCEAN

Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Gjonit  Empty
MesazhTitulli: Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Gjonit    Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Gjonit  I_icon_minitimeTue May 08, 2012 8:33 am

Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Gjonit


Gjn 18, 1 – 19, 42)

E Premtja e Madhe


Lexuesi: Jezusi, pas Darkës së mbrame, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Cedron. Aty ishte një kopsht, në të cilin hyri ai e nxënësit e tij. Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet. Atëherë Juda mori një kompani ushtarësh dhe disa rojtarë të Tempullit që ia dhanë kryepriftërinjtë e farisenjtë dhe ia behu atje me pisha të ndezura, me dritëza e me armë. Jezusi, që e dinte mirë çka kishte për t’i ndodhur, u doli para dhe u tha:

Jezusi: “Kë kërkoni?”

Grupi: “Jezu Nazarenin!”

Lexuesi: Atëherë Jezusi u tha:

Jezusi: “Unë jam.”

Lexuesi: Me ta ishte Juda që po e tradhtonte. Kur, pra, Jezusi u tha: “Unë jam!”, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhé. Atëherë i pyeti përsëri:

Jezusi: “Kë kërkoni?”

Grupi: “Jezusin Nazarenas!”

Lexuesi: Atëherë Jezusi u tha:

Jezusi: “Ju thashë: ‘Unë jam’. Nëse, pra, më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë!”

Lexuesi: Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala që pati thënë: “Nuk bora asnjë prej atyre që më dhe.”
Atëherë Simon-Pjetri nxori shpatën, që e kishte me vete, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. Atëherë Jezusi i tha Pjetrit:

Jezusi: “Shtjere shpatën në mill! A mos ta pi gotën që ma dha Ati?”

Lexuesi: Atëherë njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. E çuan më parë tek Ana, sepse ishte vjehrri i Kajfës, që ishte kryeprifti i atij viti. Kajfa ishte ai që i kishte këshilluar judenjtë:

Kajfa: “Është më mirë të vdesë vetëm një njeri në vend të popullit!”

Lexuesi: Simon-Pjetri dhe një nxënës tjetër po shkonin pas Jezusit. Nxënësi tjetër njihej prej kryepriftit dhe hyri me Jezusin në oborr të kryepriftit, kurse Pjetri mbeti përjashta, te dera. Atëherë ai nxënësi tjetër, që e njihte kryeprifti, doli, foli me derëtaren dhe bëri që të hyjë Pjetri brenda. Ndërkaq shërbëtorja derëtare i tha Pjetrit:

Shërbëtorja: “A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?”

Lexuesi: Pjetri iu përgjigj:

Pjetri: “Nuk jam!”

Lexuesi: Aty ishin shërbëtorët e rojtarët. Kishin ndezur zjarr e po nxeheshin, sepse bënte ftohtë. Me ta rrinte edhe Pjetri e po nxehej. Kryeprifti e pyeti Jezusin për nxënësit e tij dhe për mësimin e tij. Jezusi iu përgjigj:

Jezusi: “Unë u kam folur njerëzve botërisht. Gjithmonë kam mësuar në sinagogë dhe në Tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë. Nuk fola asgjë fshehtas. Pse po më pyet mua? Pyeti ata që dëgjuan çka u kam folur. Ata, patjetër dinë ç’ kam thënë.”

Lexuesi: Mbas këtyre fjalëve, njëri nga rojtarët e pranishëm, i ra Jezusit shuplakë dhe i tha:

Rojtari: “A kështu i përgjigjesh kryepriftit?”

Jezusi: “Nëse fola keq ma vërteto të keqen! Nëse fola mirë, pse po më bie?”

Lexuesi: Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajfa. Simon-Pjetri po rrinte gjithnjë aty e po nxehej. I thanë, pra, disa:

Grupi: “A mos je edhe ti prej nxënësve të tij?”

Lexuesi: Ai e mohoi dhe tha:

Pjetri: “Nuk jam.”

Lexuesi: Njëri prej shërbëtorëve të kryepriftit, kushëriri i atij, të cilit Pjetri ia preu veshin, i tha:

Shërbëtori: “Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht?”

Lexuesi: Pjetri prapë mohoi dhe këndoi gjeli. Atëherë Jezusin e çuan prej Kajfës në pallatin e qeveritarit. Ishte herët në mëngjes e ata nuk hynë në pretorium që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin darkën e Pashkëve. Prandaj, Pilati doli jashtë para tyre dhe i pyeti:

Pilati: “Ç’ padi keni kundër këtij njeriu?”

Lexuesi: Ata të cilët e kishin sjellë Jezusin thanë:

Grupi: “Po të mos ishte ky keqbërës, nuk do ta kishim sjellë para teje!”

Lexuesi: Pilati u përgjigj:

Pilati: “Merreni ju e gjykojeni sipas Ligjit tuaj!”

Lexuesi: Atëherë Judenjtë përgjigjën:

Grupi: “Ne s’kemi leje të vrasim askënd!”

Lexuesi: Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Jezusit, me të cilën parafoli se me ç’ vdekje do të vdiste. Atëherë Pilati hyri përsëri në pallat, e thirri Jezusin dhe e pyeti:

Pilati: “A je ti mbreti i judenjve?”

Lexuesi: Jezusi iu përgjigj:

Jezusi: “A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë të tjerët për mua?”

Lexuesi: Pilati u përgjigj:

Pilati: “Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çka ke bërë?”

Lexuesi: Jezusi u përgjigj:

Jezusi “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bija në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”

Lexuesi: Atëherë Pilati i tha:

Pilati: “Pra, ti qenke Mbret?”

Lexuesi: Jezusi iu përgjigj:

Jezusi: “Mirë thua! Unë jam mbret! E unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën. Kush e do të vërtetën, ai e dëgjon fjalën time.”

Lexuesi: Pilati i tha:

Pilati: “Po çka është e vërteta?”

Lexuesi: Si foli kështu, Pilati doli prapë para judenjve dhe u deklaroi:

Pilati: “Unë nuk gjej në të kurrfarë faji! Tashti, ndër ju është zakon t’ju liroj dikë për Pashkë. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?”

Lexuesi: Por ata bërtitën prapë:

Grupi: “Jo këtë, por Barabën!”

Lexuesi: E Baraba ishte cub. Atëherë Pilati mori Jezusin dhe urdhëroi të rrahej me frushkuj. Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë dhe i veshën një mantel të kuq. I afroheshin dhe i thoshin:

Grupi: “Të falemi, mbreti i judenjve!”

Lexuesi: Dhe i binin flakaresha. Atëherë Pilati doli përsëri përjashta dhe u tha:

Pilati: “Ja, po jua nxjerr përjashta që ta dini se nuk gjej në të kurrfarë faji.”

Lexuesi: Atëherë Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha:

Pilati: “Qe, Njeriu!”

Lexuesi: Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën:

Grupi: “Kryqëzoje, kryqëzoje!”

Lexuesi: Pilati u tha:

Pilati: “Merreni ju e kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të farë faji.”

Lexuesi: Judenjtë iu përgjigjën:

Populli: “Ne kemi Ligjin dhe atij i duhet të vdesë sipas Ligjit, sepse e bëri veten Bir të Hyjit.”

Lexuesi: Pilati, kur e dëgjoi këtë fjalë, u tremb edhe më tepër dhe hyri prapë në pallat e i tha Jezusit:

Pilati: “Prej nga je?”

Lexuesi: Jezusi nuk i dha përgjigje. Atëherë Pilati i tha:

Pilati: “Mua nuk më përgjigjesh? A nuk e di se kam pushtet të të liroj e kam pushtet të të kryqëzoj?”

Jezusi: “Kurrfarë pushteti s’do të kishe mbi mua, po të mos të ishte dhënë prej së Larti. Prandaj, ai njeri që më dorëzoi tek ti ka mëkat më të madh.”

Lexuesi: Që atëherë Pilati kërkonte ta lëshojë, porse judenjtë bërtitnin:

Populli: “Nëse e liron këtë, nuk je mik i Cezarit. Kushdo e bën veten mbret, është kundër Cezarit.”

Lexuesi: Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, e nxori Jezusin përjashta, u ul në selinë e gjykatores, në vendin që quhet “Kalldrëm” e hebraisht “Gabatha”. Ishte dita e Përgatitjes së Pashkëve, rreth orës gjashtë. Pilati u tha judenjve:

Pilati: “Qe mbreti juaj!”

Lexuesi: Ata atëherë bërtitën:

Populli: “Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!”

Lexuesi: Pilati u tha:

Pilati: “Ta kryqëzoj mbretin tuaj?”

Lexuesi: Krerët e priftërinjve u përgjigjën:

Grupi: “Ne nuk kemi tjetër mbret, përveç Cezarit!”

Lexuesi: Atëherë ua dorëzoi të kryqëzohej. E morën, pra, Jezusin.
Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vendin që quhet “Kafka”, hebraisht “Golgota”. Atje e kryqëzuan, e bashkë me të, edhe dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, kurse Jezusin në mes.
Pilati e shkroi edhe mbishkrimin dhe e vuri në kryq. Ishte shkruar: “Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.” Këtë mbishkrim e lexuan shumë judenj, sepse vendi ku e kryqëzuan Jezusin ishte afër qytetit. Ishte i shkruar hebraisht, latinisht e greqisht. Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit:

Grupi: “Mos shkruaj: ‘Mbreti i judenjve’, por se ai tha: ‘Unë jam mbreti i judenjve’.”

Lexuesi: Pilati u përgjigj:

Pilati: “Çka shkrova, shkrova!”

Lexuesi: Ushtarët, pasi e kryqëzuan Jezusin, i morën petkat e sipërme të tijat dhe i ndanë në katër pjesë ‑ secilit ushtar nga një pjesë. Morën edhe petkun e poshtëm. Ky nuk ishte i qepur me pola, por i punuar një cope, prej në maje e në fund. Prandaj i thanë njëri-tjetrit: “Nuk po e ndajmë në pjesë, por po qesim short, kujt t’i bjerë.” Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: ‘I ndanë mes tyre petkat e mia e mbi petkun tim hodhën short.’ Ushtarët bënë pikërisht ashtu.
Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:

Jezusi: “Grua, ja, yt bir!”

Lexuesi: Pastaj i tha nxënësit:

Jezusi: “Ja, nëna jote!”

Lexuesi: Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.
Pastaj, Jezusi, i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë, tha:

Jezusi: “Kam etje!”

Lexuesi: Aty ishte një enë plot me uthull. Në majë të kallamit të hisopit vunë një shpuzë plot me uthull e ia afruan te goja. Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha:

Jezusi: “Gjithçka u krye!”

Lexuesi: Uli kryet e dha shpirt.


(Në këtë moment meshtari së bashku me mbarë popullin bien në gjunjë dhe qëndrojnë një kohë në heshtje. Pastaj të gjithë çohen në këmbë dhe vazhdon leximi

Lexuesi: Atëherë judenjtë, pasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën ‑ e ajo e shtunë ishte ditë e madhe ‑ i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u thyheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit.
Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë. Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.
Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni.
Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: “Asnjë asht nuk do t’i thyhet.” E në një vend tjetër Shkrimi i shenjtë thotë: “Do ta shohin Atë që shporuan.”
Pastaj Jozefi prej Arimatesë, i cili ishte nxënës i fshehtë i Jezusit ‑ për shkak të drojës së judenjve ‑ iu lut Pilatit ta lejonte të zbriste prej kryqit trupin e Jezusit. Pilati dha leje. Atëherë Jozefi erdhi dhe e mori trupin e Jezusit. Erdhi edhe Nikodemi ‑ ai që pati ardhur te Jezusi dikur më parë natën ‑ dhe solli rreth njëqind libra mirrë e aloe të përzier.
E morën, pra, trupin e Jezusit dhe, siç është zakon të bëhet ndër judenj kur varroset dikush, e mbështollën në pëlhurë dhe e përeruan me erëra të mira.
Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush. Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së judenjve, meqenëse varri ishte afër, e shtinë në varr Jezusin.

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Gjonit
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
»  Pagëzimi i Zotit
» Kush jane shkaqet e vdekjes se Jezu Krishtit..?
» Figura befasuese e “Jezu Krishtit” që mallëngjeu ukrainasit në prag Krishtlindjesh!
»  SHËNDETI SIPAS HOROSKOPIT, JA SËMUNDJET SIPAS SHENJAVE
» 72 engjujt e Zotit

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: RELIGJIONE :: K R I S H T E R I M I-
Kërce tek: